Apr 12 2009

Shqiptari hero, shmangu katastrofën në shkollën greke

Postuar ngaEnton ne oren 9:56 am nen kategorine Kronika

Një emigrant shqiptar në Greqi ka bërë të mundur kapjen e një agresori të armatosur në një shkollë të mesme greke, duke i dalë përpara për ta çarmatosur. Akti i kushtoi marrjen e disa plagëve me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në një shkollë të mesme greke dhe është e para e këtij lloji e regjistruar në Greqi. Autori i saj ka qenë një nxënës grek 18-vjeçar, i cili ka qëlluar me armë në ambientet e shkollës duke lënë të plagosur 4 persona, një shok të klasës dhe kalimtarë të rastësishëm. Mes tyre edhe emigranti shqiptar, 47-vjeçari Fatmir Topalli nga Fieri. Ai punonte në një supermarket pranë shkollës dhe është përpjekur ta ndalojë agresorin në të dalë të shkollës së mesme teknologjike. Sapo u informua për ngjarjen e rëndë mbi emigrantin shqiptar Fatmir Topalli dhe grekët e plagosur, ambasadori shqiptar në Greqi, Vili Minarolli ka bërë një vizitë në spital. Zoti Minarolli u shpreh për gazetën “Panorama”, se “sapo dola nga kryetari i bashkisë, zoti Kakalamnis, ku u informova për ngjarjen, erdha të vizitoj bashkëkombësin tim, Fatmir Topalli. Kjo ishte një ngjarje e hidhur, por për fat të mirë nuk kishte përmasa tragjike me viktima. Akti i qytetarit nga Shqipëria dhe një tjetri grek pranë tij ishte një akt heroik, që është për t’u vlerësuar dhe për t’u nderuar. Të dy ata, duke vënë jetën e tyre në rrezik, shpëtuan jetë të tjera të pafajshme. Për këtë gjest ndihem shumë krenar për bashkatdhetarin tim si dhe për grekun”, tha ambasadori.
Ngjarja
Nxënësit e shkollës së mesme kanë parë tmerr, kur shoku i tyre i shkollës ka hyrë në klasë me armë në shkollën e mesme teknologjike “OAED”, në lagjen Redi të Athinës. Ka qene ora 08:45 e mëngjesit, me orën lokale, kur i riu Dhimitri Patmanidhis hapi zjarr ndaj shokut të tij të klasës, duke e plagosur atë si dhe kalimtarë të tjerë. Sapo janë dëgjuar krismat në shkollë ka shpërthyer paniku dhe klithmat e nxënësve. Sipas burimeve të para policore, agresori 18-vjeçar grek kishte ngarkesë mendore gjatë kohës që kreu sulmin. Qëllimi i tij kryesor ishte të qëllonte shokët e tij të klasës, të cilët e nënvlerësonin. Pasi ka goditur disa herë me pistoletë, ai ka lënë të plagosur nxënësin Dimos Kokinis dhe është larguar me vrapin. Në dalje të kangjellave të shkollës ai është përballur me kalimtarë të tjerë, mes të cilëve një shqiptar, të cilët i ishin hedhur për ta çarmatosur. Pasi është përballur me ta duke i plagosur, 18-vjeçari është ulur në parkun përballë shkollës, ku i ka drejtuar pistoletën vetes duke marrë plagë të rënda. Nxënësi grek 18-vjeçar është shtruar për një ndërhyrje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa emigranti shqiptar është plagosur lehtë në shpatull.
Letra
Në çantën e agresorit grek janë gjetur dy pistoleta, disa fishekë dhe një letër. “Jam egoist, dua t’i jap fund jetës sime, do të godas këdo që më del përballë dhe më pengon. Do jua marr atë që keni gjënë më të shtrenjtë (jetën). Jam i zhgënjyer me të gjithë. Nuk kam respekt as në jetën tuaj, as me jetën time”, citohet në letër. Me gjithë përpjekjet e mjekeve, 18-vjeçari Dhimitri Patmanidhis ka humbur jetën pas një hemorragjie të pandalshme si shkak i plumbit në kokë.

1 koment to “Shqiptari hero, shmangu katastrofën në shkollën greke”

  1. Mjere ai popull qe ka nevoje per herojon 09 Jun 2009 at 8:18 am

    O hero mendo mire dhe femijet e tu.
    se po ti lesh rrugeve ska per ti rene ndermend ndokujt sapo te fiken dritat e skenes.
    Po mjere jetimet e shkrete.

Lidhja rikthyese | Nyja RSS per komentet

Lini nje koment, ose dy