May 03 2009

Suedezët, 1,5 milionë euro për tregjet inekzistente

Postuar ngaadmin ne oren 10:37 am nen kategorine Problematika

Projekti që 7 vjet më parë. Nuk dihet ku përfunduan paratë, në vend të tyre kafene

KORÇE- Që qeveria suedeze po binte në “kthetrat e mashtrimit” të qeverisë socialiste shumë njerëz të mençur e kuptuan që në vitin 2002, pikërisht në atë kohë kur kjo qeveri hodhi si investim 1.5 milionë euro për ndërtimin e tre tregjeve bujqësor, me synimin grumbullimin e të gjitha prodhimeve bujqësore në gjithë fushën e Korçës, por edhe në atë të Devollit. Madje jo vetëm kaq, tre tregjet, që do të kishin të gjitha parametrat bashkëkohore, do të kishin mundësi të thithnin edhe të gjitha prodhimet bujqësore që mund të vinin nga dy rrethet e tjera, nga Kolonja dhe Pogradeci.

Tregjet 1,5 milionëshe

Sot, kur që nga ajo ditë kanë kaluar plot 7 vjet, ata që dyshuan jo vetëm kanë patur të drejtë, por në të njëjtën kohë vërtetuan atë çka përflitej: Qeveria socialiste po mashtronte Qeverinë suedeze. Tashmë i çuditshëm mbetet vetëm fakti se, përse Prokuroria hesht? Por kaq enigmatike mbetet edhe heshtja e Qeverisë suedeze, e cila ende nuk ka kërkuar të dijë nëse fondet e saj shkuan ose jo në destinacionin, për të cilin ajo i kishte akorduar fondet e saj. Tashmë në rajonin e Korçës ngrihen tre tregje: njëri nga fshatin Pirg, tjetri në fshatin Pojan dhe i treti në qytetin e Bilisht. Cila është e vërteta? Vërtet u ngritën tre tregje që do të grumbullonin të gjitha prodhimet e fshatarëve, me qëllim që ata të mos i hidhnin ato në lumë apo në përrua, në mungesë të tregut të shitjes, por mbetet po kaq i vërtetë fakti se këto tre tregje nuk u vunë asnjë ditë në funksionim. Pyetja që lind është, për kë investoi Qeveria suedeze 1.5 milionë euro?! Që nga dita e parë e vënies në zbatim të projekteve të sipërcituar (për ngritja e tre tregjeve) gjithçka nisi në parregullsi të plotë ligjore, pa patur një marrëveshje të plotë me pronarët e trojeve. Nisur nga informacionet që kemi marrë për këtë çështje pranë Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, rezulton se duke mos patur një kontratë të plotë dhe ligjore, konflikti mes pronarëve të trojeve dhe drejtueseve të komunave as është zgjidhur dhe as do të zgjidhet ndonjëherë. Për këtë arsye, këto tre tregje, të ngritura që nga viti 2002, as nuk janë hipotekuar ndonjëherë dhe as shihet ndonjë dritë shprese se mund të hipotekohen ndonjëherë. Tashmë tre tregjet qëndrojnë në këmbë, por nuk janë më tregje për grumbullimin e prodhimeve të fermerëve, ato kanë ndryshuar destinacion, madje janë kthyer në kafene.

Lidhja rikthyese | Nyja RSS per komentet

Lini nje koment, ose dy