May 03 2009

Më shumë kujdes mbetjeve ushqimore

Postuar ngaadmin ne oren 10:38 am nen kategorine Sociale

Sipas të dhënave të OKB-së, parashikohet që në vitin 2050 popullsia e botës të arrijë në 9 miliardë banorë. Një rritje e tillë do të ushtrojë presion të fuqishëm në shtimin e prodhimit global të ushqimeve.

Do të duhet të prodhohen më shumë ushqime me ndikim sa më të paktë në mjedis. Nga shkenca do të kërkohen teknika e teknologji të reja kultivimi. Kështu, po bëhen përpjekje për të krijuar varietete të reja bimësh, që mund mbillen e japin produkte ushqimore edhe në toka të ftohta, në kushtet e ngricave si dhe në kushtet e thatësirës në shkretëtira. Shqipërisë, për të përballuar presionin ushqimor, në të ardhmen do t’i duhet të shfrytëzoje më me efektivitet tokën jo vetëm në zonën fushore, por edhe në atë kodrinor-malore, ku rezervat janë të mëdha.

Por rritja e prodhimit ushqimor nuk do të ketë asnjë kuptim nëse ai nuk do të përdoret me efektivitet, duke mënjanuar humbjet dhe shpërdorimet. Sot në botë sasi marramendëse ushqimesh shpërdorohen. Sipas Mariann Fishcer Boel, këshilltare për bujqësinë dhe zhvillimin pranë Komisionit Evropian, çdo vit evropianet shpërdorojnë sasi të pabesueshme ushqimesh. Kështu, në Francë sasia e ushqimeve që shpërdorohen çdo vit mund të ushqente pjesën e popullsisë së uritur në Republikën e Kongos, ndërsa sasia e ushqimeve që përfundon në kazanët e plehrave në Itali, mund t’i jepte fund urisë në Etiopi. Dhe kjo nuk përfundon me kaq. Në Britaninë e Madhe supozohet se rreth një e treta e totalit të ushqimeve hidhet në plehra, dhe kjo u kushton anglezëve mbi 13 miliardë euro në vit. Por dëmet nuk ndihen vetëm në portofolin e konsumatorit. Koston e paguan shtrenjtë edhe mjedisi, përderisa çdo vit nga mbetjet ushqimore çlirohen në atmosferë miliarda tonë gazra, që rritin efektin “serrë”.

Por si qëndron puna me shpërdorimin e ushqimeve në Shqipëri? Në pamje parë, meqenëse vendi ynë importon sasi të konsiderueshme ushqimesh, që llogariten jo më pak se 500 milionë euro në vit, krijohet ideja se te ne nuk duhet të ketë shpërdorim ushqimesh. Në fakt, te ne, sidomos vitin e fundit, është vënë re forma më e shëmtuar e shpërdorimit të ushqimeve: ajo e lënies në derë të prodhuesit të mijëra kuintalë produkteve bujqësore, si: qepë, patate, mollë, grurë (e theksuar kjo në rrethin e Korçës) për shkak të mostërheqjes nga tregu vendas, në një kohë kur të njëjtat produkte kanë hyrë lirisht nga importi. Kur pyet zyrtarë se pse lejohet kjo gjendje, përballë të vënë ekonominë e tregut të lirë. Por treg i lirë nuk do të thotë kurrsesi treg kaotik dhe i pakontrolluar. Tregu i lirë nënkupton në radhë të parë një treg të orientuar në sasi dhe lloje produktesh dhe që realizohet me orientimin e fermerëve për prodhimin mall nga vetë tregu. Për ta arritur këtë, shteti nëpërmjet levave të tij duhet të nxitë krijimin e pikave të grumbullimit, dhe pse jo krijimin e shoqatave për shitjen e produkteve bujqësore.

Nuk mund të ngelet jashtë përgjegjësisë në përdorimin me nikoqirllëk të ushqimeve edhe tregu me pakicë. Kështu, ne s’e kemi parasysh që një numër gjithnjë e më i madh familjesh, për shkak të emigracionit apo të mënyrës së re të jetesës, përbehen nga një ose dy persona, në një kohë kur shumica dërmuese e ushqimeve ambalazhohen për familje me katër persona. Nga ana tjetër, magazinimi i keq dhe paqartësia që vazhdon të mbizotërojë në etiketa, sidomos me datat e prodhimit e të skadencës, shtojnë sasitë e mbetjes së ushqimeve.

Nënat dhe amvisat tona të brezave të kaluar kanë pasur traditë përdorimin me nikoqirllëk të ushqimeve. Ato dinin të komandonin me përpikëri si psonisjet në pazar, ashtu dhe gatimin e saktë. Ishte rast i jashtëzakonshëm në familjet tona që të flakej gjellë e gatuar, ajo do të ruhej me kujdes ose do të rigatuhej, edhe pse atëherë mungonin mjetet e sotme ftohëse. Veçanërisht shumë të kujdesshme tregoheshin nënat dhe gjyshet tona me fëmijët e vegjël për t’i edukuar që të mos bënin thërrime. Por kohët kanë ndryshuar, rritja e mirëqenies ka bërë që këto tradita e zakone të harrohen dhe, si rrjedhojë, të rritet edhe shpërdorimi i ushqimeve.

Në gjithë Evropën po ndërmerren nisma, veçanërisht nga pushteti vendor, për kufizimin e mbetjeve ushqimore. Në Britaninë e Madhe, ku kjo heshtje është trajtuar si politike, gjatë një fushate dyvjeçare pune llogaritet të jenë kursyer 137 mijë tonë ushqime, shifër kjo e barabartë me 325 milionë euro. Si rrjedhojë, është shmangur dhe lëshimi i 600 mijë tonë gazrave në atmosferë.

Në Shqipëri hesapeve të tilla ende nuk u kemi hyrë, por nëse synojmë të hyjmë në Evrope, duhet të mendojmë e punojmë si evropianë edhe në fushën e kufizimit të mbetjeve ushqimore.

Lidhja rikthyese | Nyja RSS per komentet

Lini nje koment, ose dy