May 03 2009

Një Mecenat në kohërat e sotme shqiptare

Postuar ngaadmin ne oren 10:40 am nen kategorine Kulture

Pak fjalë dhe për Koço Kostën

KORÇE- Shpesh kur duam të cilësojmë ndonjë ministër, dinjitar të lartë apo biznesmen të fuqishëm, si përkrahës dhe mbështetës, të artit dhe të artistëve, na kujtohet emri i Mecenatit. Këtij personaliteti historik të Romës së lashtë, bashkëkohës dhe mik i perandorit të madh Oktavian August, i cili u bë i famshëm pikërisht, falë dashurisë dhe mbështetjes së tij ndaj artit dhe artistëve. Ky emër i madh, pra Mecenati, mu ngallit në tru kur dëgjova për herë të parë, për mbështetjen që ju bën, artistëve dhe shkrimtarëve z. Bujar Leskaj, ish-ministër i Kulturës dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. E kam fjalën konkretisht, për aktivitetin e ndarjes së çmimeve, para disa muajsh, që dega e L.Sh.A. Vlorë, ju akordoi shkrimtarëve dhe artistëve më të spikatur të zonës. Ai me bujarinë e tij, (ashtu siç ka dhe emrin) jo vetëm që i mbështeti moralisht, por edhe materialisht ata. Gjest ky, që tregon më së miri për prirjet e tij biofile, vetëdijen e një njeriu të qytetëruar dhe me vizion. Edhe në qytetin e Korçës, (përveç veprimtarive të tjera) ka kohë që organizohet i njëjti aktivitet, nën logon, “Vjeshtë letraro-artistike në Boboshticë´´ ku Dega e Lidhjes ndan çmime të përvitshme, për të gjithë ata krijues që janë dalluar gjatë vitit. Kjo për dy arsye, e para për të evokuar, figurat më të ndritura të artit dhe të historisë së regjionit tonë dhe e dyta për të vlerësuar në mos materialisht të paktën moralisht ata që kontribuojnë, në fushën e artit dhe të kulturës. Ashtu si z. Bujar Leskaj në qytetin e Vlorës, në Korçë rolin e Mecenates e ka luajtur prefektja e qarkut prof. dr. Elfrida Zefi, e cila me dashamirësinë dhe humanizmin e saj, ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e pazëvendësueshme e artistëve dhe e shkrimtarëve të Qarkut. “Të përkrahësh artin dhe letërsinë, do të thotë t’i japësh dinjitet, pasurisë dhe pushtetit tënd”, kështu thotë Niçe. Pikërisht në këtë kontekst dhe për këto arsye besoj, ishte edhe shkrimi i z. Leskaj në një prej gazetave të përditshme shqiptare, me titullin aq domethënës “Absurdi i kohës absurde´´, i cili merrte shkas nga vepra e fundit e shkrimtarit të shquar, Koço Kosta. Pikërisht në këtë shkrim mësova edhe për dhurimin nga ana e tij e tetëdhjetë kopjeve të romanit “Nata e Sofie Kondilit´´, gjë e cila tregon dëshirën e tij, për të ndarë me miqtë dhe dashamirësit e shumtë, kënaqësinë që i ka falur arti i madh i Koço Kostës.

Pak fjalë për Koço Kostën

Është e pa mundur që me këtë rast të mos shkruaj edhe dy fjalë për këtë personalitet të letrave shqipe. Koço Kosta, ky artist i anatemuar dikur prej regjimit komunist, ky njeri dinjitoz që jetën e tij të trazuar dhe plot privime e shndërroji në mrekulli veprash të magjishme dhe sidomos përvojën e tij estetike e sublimoj në kryeveprat si “ Nata e Sofie Kondilit´´ dhe “ Absurdi´´, është pa dyshim një prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë. Nuk di pse ky njeri me talentin dhe durimin e tij aspak të zakonshëm më ngjan me një gdhendës virtuoz diamantesh. Me një demiurg pagan që si prej hiçit, krijon një realitet më të vërtetë se vetë realiteti, duke ju qasur deri, thelbit të botës dhe të jetës njerëzore. “Arti është gjendje ´´, konstaton Shopenahuri, dhe pikërisht kjo thënie e këtij filozofi të madh, më është kujtuar, kur kam përjetuar leximin e veprave të mësipërme të K. Kostës. Pasuria gjuhësore, struktura e veprave, universaliteti i personazheve, njohja e skutave më të thella të shpirtit njerëzor e sidomos e botës së brendshme të femrës shqiptare me specifikat dhe fatin e saj tragjik, më sugjestionuan dhe më tronditën njëkohësisht. Natyrisht të gjitha këto nuk janë aspak të rastësishme. Lipset kulturë, pasion i pa epur dhe një dashuri e madhe për të mundur të plazmosh një roman si “Nata e Sofie Kondilit´´. Një natë e shndërruar në një jetë dhe një jetë e jetuar në një natë. Natë e pa fundme si vetë universi, ku shkuljet e pasionit, humnerat e ankthit,tragjizmi dhe absurdi, ngërthehen e bëhen një, duke ngjizur kështu Iliadën moderne të dashurisë. Nuk di pse absurdin e asaj kohe më vjen ta përfytyroj si një tumor malinj, metastazat e të cilit ( edhe mbas heqjes së tij) ende vazhdojnë të gjallojnë në trupin e shoqërisë shqiptare. Metastaza të cilat kërkojnë një terapi të guximshme, një investigim dhe pastrim të kujdesshëm, përndryshe mund të bëhen sërish agresive dhe vdekjeprurëse. Pikërisht këtë kërkon edhe shkrimtari e intelektuali Koço Kosta.

Është e habitshme nganjëherë, se si mediokritetet promovohen me zulmë e pompozitet, ndërsa kryeveprat kalohen gati në heshtje. Në këtë rast s’na mbetet gjë tjetër veçse të risjellim edhe njëherë në mëndje fjalët e vyera të një filozofi gjerman. “Në këtë botë, ajo që vlen nuk vlerësohet dhe ajo që vlerësohet nuk vlen´´…

Kryetar i L.SH.A, Korçë

Lidhja rikthyese | Nyja RSS per komentet

Lini nje koment, ose dy