May 03 2009
Në Vithkuq për Shën Gjergj
![]()
reportazh nga Fatos Buxhaku
Vetëm 25 kilometra mbi asfalt. Vetëm kaq duhet të udhëtojmë që nga Korça për të mbërritur në Vithkuq, në fshatin e njohur të “Evëtarit” të Naum Veqilharxhit. Ndokush prej nesh, që udhëton për herë të parë këtej, merr frymë i lehtësuar. Kush e di se sa larg e kujtonte fshatin! Bashkë me ne udhëton Gjikë Kurtiqi, njeri i njohur i letrave. Gjikën e kemi mik të vjetër. E kemi njohur me kohë në Tiranë. Vetëm vonë e kemi marrë vesh se është nga ky fshat dhe se tani e kalon një pjesë të mirë të kohës në vendlindje. Nuk ka pak që ka nxjerrë në qarkullim një libër të tijin mbi historinë e fshatit. Një libër dhe një mik i vjetër në fshatin e tij, a ka shoqërues më të mirë se kaq?
Pasi kemi bërë nja 12 kilometra mbi rrugën Korçë-Ersekë, kalojmë një urë që vendasit e quajnë Ura e Floqit, nga emri i fshatit përballë, dhe pastaj marrim djathtas në një rrugë disi më të ngushtë, por gjithsesi të asfaltuar.
Fshati i parë që hasim është Bellovoda, një bashkim shtëpish të gurta, që popullohen nga vllehë, punëtorë të pashoq. Është pranverë dhe, të mësuar me klimën e Tiranës, kemi ardhur të veshur ca si hollshëm, porse kemi gabuar. Në këto anë stinët kanë ritme të tjera. Ngado shohim kumbulla që kanë çelur, por herë pas here një shi i imët na kujton se edhe ndonjë dëborë “e lehtë” nuk do të ishte ndonjë habi. Termometri i makinës shënon hera-herës edhe 6 gradë. Kur thotë diçka më tepër, marrim frymë të lehtësuar. I kalojmë disa kthesa mes kodrave në ngjyrë të thellë të kuqe. Nga vjen emri Vithkuq? Kjo është pyetja e parë që i bëjmë Gjikës, ndërsa makina vazhdon të ecë përpara drejt fshatit të tij. “Ka një teori, sipas së cilës emri i fshatit vjen nga vidhi i kuq, i cili në kohë të vjetra paskësh qenë rritur shumë këtyre anëve - thotë Gjika - është edhe mendim tjetër, sipas të cilit fshatarët që zbrisnin në Korçë për pazar i kishin vithet e kuqe, ngaqë mbi shajakun e tyre ishte ngjitur balta e njohur e kuqe e këtyre anëve. Tani vendoseni vetë se cili mendim është më i drejtë”. E kemi të vështirë të vendosim. Do të mbajmë anë kur të lexojmë që në librin e shkruar nga vetë Gjika, Vithkuqi shënohet disa herë “Bythkuq”.
Teksa vazhdojmë të ecim përmes kodrave të kuqe, është shfaqur befas para nesh një liqen i stërmadh. Është rezervuari i Gjançit. I rrethuar nga malet, që mbajnë ende dëborë, ai na duket si një liqen i mrekullueshëm alpin. Ky rezervuar, i krijuar andej nga mesi i viteve ‘70 të shekullit të shkuar, mbledh ujërat që vijnë nga të gjitha anët nga krahina e Vithkuqit dhe i dërgon ato poshtë, në fushën e Korçës. Me ujin e tij është mbajtur bujqësia për shumë kohë në këto anë. Një hidrocentral i vogël, ai i Bellovodës, punon me ujin që vjen prej tij. Bie një shi i imët dhe i ftohtë, por ne nuk mund të mos ndalojmë për pak kohë në anë të hapësirës së pamat ujore. Disa pemë kanë mbirë krejt mbi ujë, ndonjëra madje mu në mes të liqenit. Thuhet se ky liqen ka aq shumë ujë, saqë, larg qoftë, nëse do çahej diga e tij, atëherë do të përmbytej krejt fusha e Korçës, madje uji do të mbërrinte deri në Berat. Kohë më parë u pat folur në shtyp për këtë rrezik, por më pas qetësia mbuloi çdo gjë. Njësoj si kjo që po shijojmë ne në këtë pranverë të lagur vithkuqare.
Për pak kohë rrimë e diskutojmë se sa mirë do të ishte sikur krejt brigjet e liqenit të ishin populluar nga shtëpi druri të vogla, se sa mirë do të ishte në këtë vend për të kaluar pushimet e për t‘i shpëtuar vapës mbytëse të qyteteve tona. Rrimë e fantazojmë ca vërtet, por askush prej nesh nuk e gjen shkakun përse ende nuk ka turizëm të zhvilluar në këto anë. Kjo pyetje do të na dalë përpara edhe herë të tjera gjatë këtij udhëtimi. Kemi kaluar edhe Leshnjën, një fshat i madh, tokat e të cilit dikur ishin pronë e Manastirit të Shën Pjetrit.
“Ky është Osumi”, bën me dorë, në krah të makinës tonë, Gjika. Në fillim çuditemi, të mësuar me lumin që kemi parë në Berat, por pastaj e mbledhim mendjen. Në fakt, ç‘do lumë lind kështu, si një fije e hollë uji dhe pastaj vjen e shtohet duke marrë me vete “shokët e tij”. Herë pas here, pritat, që i kanë bërë njerëzia, e bëjnë rrjedhën e ujit të duket vërtet një lumë që ta meritojë emrin. Pastaj vijmë në portat e fshatit Vithkuq. Një urë e vjetër e gurtë, njësoj si krejt ato të kohës së Turqisë, është ende në këmbë. Përbri saj kalojnë makinat mbi një urë të re. Shumë prej tyre mbajnë targa të huaja. Janë të rinjtë e Vithkuqit. Jetojnë në emigracion. Kanë ardhur në fshat duke shfrytëzuar pushimet e Pashkëve. Ura e vjetër, elegante mbi Osum, quhet “Ura e Zotos”, por vithkuqarët e kanë më për mbarë t‘i thonë “Ura e Madhe”. Zoto quhet fisi që banonte diku këtu afër. Ata e kanë ndërtuar urën me paratë e mbledhura nga ndonjëri prej tyre në emigracion. Pastaj na duket sikur kemi hyrë në një tunel. Pemët kanë bashkuar kreshtat e tyre njësoj sikur të duan të mbrojnë kalimtarët poshtë tyre nga gjërat që hedh qielli. Për pak minuta jemi në qendër të Vithkuqit.
Nga Veqilharxhi tek urata
Njeriu i parë që “takojmë” është Naum Veqilharxhi. Autori i njohur i të pares abetare të shqipes, “Evëtarit” të 1844. Busti i tij, i realizuar kohë më parë nga Odhise Paskali, shikon me të njëjtët sy të ngrirë që prej kohësh patriotët e tij që lëvizin në qendër të fshatit. Këta, të mësuar me bashkëfshatarin e tyre të famshëm, nuk ia hedhin sytë edhe aq shumë. Kanë të tjera punë për të kryer në këtë paradite prilli. Ngjitur me bustin e Naumit është një ngrehinë e madhe e gurtë. Është kisha e Shën Nikodhimës, shenjtorit vithkuqar, të cilit iu pre koka në Berat në 1709. Kisha është ndërtuar vetëm këto vitet e fundit. Bashkë me Gjikën ndezim nga një qiri. Mbase Shën Nikodhimi do të na ndihmojë duke e pushuar atë shiun e gjysmë të ngrirë, që nuk po na lë të punojmë rehat.
Po në qendër ndodhen komuna dhe shkolla. Në shkollë ndjekim një orë fizkulture. Palestra është ndërtuar e re. Një vendas ia ka bërë dhuratë shkollës së fshatit të tij. Në këto anë bamirësia është kthyer në një si traditë. Turtulli, bamirësi më i famshëm për Korçën, ishte pikërisht prej këndej. Shoqata e emigrantëve vithkuqarë në Southbridge, pranë Bostonit, ka ngritur shkollën e dikurshme, ndërtuar çezma e kalldrëme, madje ka paguar edhe paja nusesh.
Ndërsa djem e vajza lozin volejboll, ne trokasim në një dhomë disi më të heshtur. Janë dy klasa të fillores bashkë, e para dhe e treta. Mësueses së re i duhet herë të flasë për germën “X” dhe sigurisht për xixëllonjën dhe herë të flasë për trupin e njeriut, zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Vithkuqi ka një traditë të lashtë arsimore. Por tani, nga ikja e njerëzisë, shkolla, ku dikur gumëzhinin zërat e qindra nxënësve, është një ndërtesë që i ngjan më shumë një muzeu ku ruhen kujtimet. Sikur të mos ishin ata të paktët fëmijë, heshtja do ta kishte mbuluar këtë vend.
Shiu nuk ka ndërmend të pushojë. Ata qirinjtë që ndezëm në Shën Nikodhima ende nuk kanë funksionuar, kështu që vendosim të hyjmë në brendësi të fshatit. Vithkuqi ka tri lagje: Saraqin, Dukasin dhe Grekasin. Pikërisht në këtë lagjen e fundit buajmë në shtëpinë e Vasil Rrapos. Është një shtëpi tipike vithkuqare, e gurtë dhe e rrethuar nga të katër anët nga arra të stërmëdha. Ca më sipër shtëpisë së Xha Vasilit gurgullon uji i një kroi. Gjika ka numëruar më shumë se 100 kroje në fshatin e tij, por ka shumë gjasë që të jenë më tepër. Vithkuqi është i rrethuar nga të gjitha anët me ujë. Xha Vasili në të ritë e tij ka qenë partizan, pastaj ka punuar si përgjegjës i stacionit hekurudhor në Durrës, por shumicën e jetës e ka shkuar këtu, në fshatin e tij. I ati i tij, i porsakthyer nga emigracioni në SHBA, pat shërbyer do kohë si përkthyes dhe kuzhinier për misionin anglez në 1944. Xha Rrapo i mban mend mirë historitë e luftës: Shtabin e Përgjithshëm, anglezët, djegiet e fshatit, të vrarët… “Po ti vetë a ke vrarë ndonjë gjerman?”, e shpotisim ne xhaxhanë e mirë. Xha Rrapo nuk e merr me të keq. “Jo more djem - thotë me sy të qeshur - unë isha korrier. Mirrnja letrat që këtu dhe i shpija në Panarit, se atje vajti shtabi më vonë. Kisha pushkë, po vetëm një herë e shkrepa. E ku ta vrisnja gjermanin de…!?”. Pastaj shton krejt serioz: “Po luftë është bërë ama, njerëz janë vrarë dhe fshati u shkatërrua fare”. Xha Vasili i ka mbushur 84 vjetët. Në librin e tij Gjika ka shënuar një listë të gjatë pleqsh e plakash që, në mos e kanë kaluar shekullin, i janë afruar shumë atij. “Shekullorët” i ka quajtur Gjika pleqtë e shumtë jetëgjatë të Vithkuqit. Këtu, një 75-vjeçar konsiderohet ende një “burrë në moshë”. E pyesim xha Vasilin për sekretin e jetëgjatësisë së vithkuqarëve. Ai, si sheh një herë matanë penxheres nga ku duken degët e rënda të një arre të madhe, thotë thjesht: Uji, ushqimi, ajri. Qëndrojmë një copë herë në oborrin e paqtë të shtëpisë ku banon xha Vasili. Nga “ashefi”, sikurse i thonë dhomës së vogël ku gratë gatuajnë dhe bëjnë punët e shtëpisë, dëgjohet një trokitje e thatë. Është avlemendi ku jetë e mot janë thurur qilimat e leshtë. Nusja e shtëpisë nuk e ka humbur kohën kot. Si ka pritur miqtë e ardhur nga larg, i është vënë sërish punës. Ndahemi me xha Vasilin në pragun e shtëpisë. E shoqja, Liria, një plakë e imët gjithnjë e qeshur, psherëtin: Eh, more djem, si nuk qëndruat edhe ca. Na e gëzuat shtëpinë!
Vetëm ca metra më larg, në një oborr të mbushur me lule, dallojmë siluetat e holla të dy të moshuarve të tjerë. Është Ligor Shorja me të shoqen. “Xha Golja”, sikurse e njohin të gjithë në fshat, është bashkëmoshatar me xha Vasilin. Është mbase specialisti më i njohur i blegtorisë në krejt zonën. Xha Golja na rrëfen se si me tufat e bagëtive ka udhëtuar me javë të tëra nga Vithkuqi në trevat e Vlorës e deri më larg, në Konispol. Dimërimi i bagëtisë ka qenë profesioni i tij i parë. Pastaj, me t‘u ngritur kooperativa, ai ka qenë shefi i këtyre punëve. “Nuk i kam ndarë kurrë njerëzit në shefa dhe punëtorë - na thotë - andaj kam shkuar mirë me të tërë. Sikur të doja ndonjë edhe mund ta ndëshkoja ashpër. Ishin kohë të egra dhe mund ta pësonte keq. Por unë nuk u ndjeva. Me shembullin tim i bëra të tërë të ndjeheshin të barabartë. Ndaj edhe tani që kanë kaluar shumë vjet, ndjehem mirë mes njerëzve të fshatit tim. Askush nuk ma bën me gisht. Ja përse preferoj të jetoj këtu dhe jo në Korçë, ku kam djalin”. Biseda shkon që nga koha e shtegtimeve të mëdha të tufave të bagëtive, te lufta, emigracioni - Xha Golen, babai emigrant në SHBA e ka lënë jetim kur ishte vetëm 5 vjeç, ndërsa tani një djalë tjetër i tij jeton në Filadelfia - te “shekullorët” e Gjikës. Xha Golja i përsërit ata faktorët tashmë të njohur që e shtojnë jetëgjatësinë: ujin, ajrin, ushqimin, por shton dhe përsërit edhe një tjetër. “Mos harroni punën djema. Pa të nuk ka jetë”, na thotë. Të lagur e të mardhur, në anë të sobës me dru të xha Goles, e vrasim mendjen: Po të punojmë si sot, a do të na shtohet ndonjë ditë nga jeta?
Ka nisur të bjerë muzgu. Bashkë me Gjikën ngjitemi mbi një kodër, që vendasit herë i thonë “spitali” e herë të tjera “komanda”. Këtu e kemi fshatin si në pëllëmbë të dorës. Një ndërtesë e gjatë, e braktisur që prej shumë kohësh, ka qenë dikur qendra e vendit. Këtu u vendosën, për aq pak kohë sa mundën, me radhë, italianët, partizanët, anglezët. Rreth saj, në 1944-ën është zhvilluar një betejë e ashpër. Gjika flet dhe ne mundohemi të përfytyrojmë se si gjermanët e rrethonin fshatin duke iu afruar në qetësinë e tij. Gjika na rrëfen një histori të çuditshme. “Një skraparlli - na thotë ai - kishte ardhur në këto anë për të shitur rrush. Si mbaroi punë, u shtri e fjeti në gardhin që ishte atje përtej. Vonë natën dëgjoi krisma. Partizanët ishin të rrethuar. Skraparlliu si pa që plasi lufta, iu përgjigj me plumba të shtënave, andej nga ana e gjermanëve. Kjo u dha kohë partizanëve që të shpëtonin. Ishte një akt heroik. Skraparlliu e kishte shumë të lehtë të ikte e të fshihej nëpër përrenjtë që rrethojnë kodrën, por preferoi të luftonte. Tani është shpallur dëshmor”. Në kohë të turbullta paska qenë shumë e lehtë të shpallesh dëshmor. Nganjëherë, mjafton të të dalë gjumi nga krismat e armëve.
Në të ngrysur shkojmë në lagjen Sareq. Ngado jemi të rrethuar me ujë. Ujë në anë të rrugës së vjetër, ujë në qendrat e vogla të lagjes, ujë nëpër shtëpitë e fshatarëve. Priftin e fshatit, Dhimitraq Priftin, e gjejmë në shtëpi. Sa po bëhet gati për të shkuar në kishën e Shën Gjergjit. “Shën Gjergjin e kemi nesër - na thotë - po shkoja në kishën që mban emrin e tij, po ju urdhëroni brenda. Djali im quhet Nesti. Këtë të diel që shkoi kishim emrin e tij”. Me uratën diskutojmë gjatë. Ai është pasues i një familjeje me traditë në shërbim të kishës. Si i thyejmë ca vezë Pashke me Nestin e vogël, marrim udhën e kthimit. Natën e kalojmë në një hotel të paqtë e të pastër, te “Konstandini”. Mëngjesin tjetër zgjohemi që herët nga kënga e bilbilave, që na duken sikur kanë vërshuar në dhomë.
Ndër kisha të vjetra
Shën Nikodhima ka vënë dorën në zemër për lutjet tona. Shiu nuk është më. Herët në mëngjes shkojmë në Kishën e Shën Gjergjit. Urata ka nisur meshën dhe qirinjtë shkojnë dorë më dorë. Kjo kishë është relativisht e re. Kështu quhen këtu kishat që janë ndërtuar nga shekulli XIX e mbrapa. Fshatarët nisin e vinë një nga një në kishën e gurtë.
Me të mbaruar mesha takohemi sërish me uratën. Këtë herë në të dalë të fshatit, në Kishën e Shën Mëhillit, apo më shkurt, të Shën Millit. Kjo është një nga të paktat kisha të vjetra të mbetura në këmbë që nga koha e lavdisë së Vithkuqit-qytet.
Në Shën Mëhill zhytemi në një atmosferë të magjishme. Jemi të rrethuar ngado nga afreske që janë ruajtur relativisht mirë. Kisha është prej kohësh “Monument Kulture”. Ajo ka përfunduar së ndërtuari në fund të shekullit XVII dhe muret e saj janë pikturuar nga mjeshtrit Qirko dhe Panajoti. Ikonat e ikonostasit të saj janë punuar nga mjeshtrit më të mëdhenj të ikonografisë shqiptare: David Selenicasi, vëllezërit Zografi dhe Konstantin Shpataraku.
Përbri saj në varreza na bën përshtypje një kryq i madh. Vithkuqarët e quajnë “Varri i Pagëzimit”. Mihal Grameno, i sëmurë nga tuberkulozi, qëndroi ca kohë në Vithkuq. Këtij kryqi i kushtoi një nga veprat më të mira të tij. Sipas legjendës, një dhëndër i ri u bë me djalë për herë të parë. Kërkesa e tij këmbëngulëse ishte që ta pagëzonte djalin në gjuhën shqipe. Kjo ishte një punë fort e ngatërruar, sepse më parë duhej marrë leja e mitropolitit në Korçë. Ishte acar, foshnja motake nuk arriti të mbijetonte. Vdiq në pragun e kishës. Pas tij vdiqën me radhë e ëma dhe dy gjyshërit. Në fund, në varrin e përbashkët u vendos edhe i ati, që mbijetoi edhe për pak kohë. Kryqi i gërryer nga koha është ende në këmbë, simbol i një kohe kur jeta në këto anë kishte kuptim krejt tjetër.
Bashkë me uratën ngjitemi në Manastirin e Shën Pjetrit. Kjo godinë është restauruar kohët e fundit. I ndërtuar mes viteve 1764-1773, ky ka qenë një ndër më të njohurit e më të mëdhenjtë e zonës së Korçës. Tradita e panairit rreth mureve të tij vazhdon edhe sot. Dikur kishte 50 dhoma (konakë), 500 kokë dhen, prona, 25 dyqane në Korçë, një ikonostas të larë në flori, që kishte kushtuar sa një fshat i tërë, një bibliotekë të pasur ku ruheshin disa nga vëllimet e pazëvendësueshme të Voskopojës… Endemi ca kohë qark afreskeve që mbahen ende. Puna restauruese ka shpëtuar një pjesë fort të mirë.
Në krah të kishës së vjetër na bën përshtypje një kishë e vogël. Urata na shpjegon se është “qimiteri” që u kushtohet shenjtorëve Damian e Kozma, një lloj kishe në dyshemenë e së cilës varroseshin njerëzit që shprehnin dëshirën të ishin sa më pranë vendit të shenjtë të fshatit të tyre. Deri para disa dekadash paska qenë zakon që në një ditë të caktuar besimtarët të kalonin një natë mes skeleteve të radhitur bukur. Kështu mendohej se duke e takuar vdekjen, e duke u njohur me të, jeta do të ishte edhe më e gjatë. “E mbaj mend natën që kam kaluar këtu me gjyshen time”, thotë Gjika, njësoj sikur të thotë një gjë krejt të zakontë. Muret e kishëzës janë të pandriçuara. Urata na tregon se ku është një paraqitje e panjohur e Shën Nikodhimës, shenjtorit vithkuqar. Shenjti i ri na duket më pak modern a heroik sa jemi mësuar ta shohim gjetiu.
“Po këtu poshtë uratë, çfarë ka?”, e pyesim shoqëruesin tonë. “Pa zbrit një herë dhe hidh një sy”, na thotë urata me qetësi. Si kemi zbritur do shkallë druri, ndjehemi të rrethuar nga errësira. Pastaj befas dikush prej nesh ndez një çakmak dhe ne e shohim veten të rrethuar nga… qindra skelete. I kanë ndarë më vete, kafkat mënjanë dhe gjymtyrët, që bëhen edhe më të gjata se ç‘janë nga drita e qirinjve, në anën tjetër. Të vdekurit duken krejt të paqtë në atë lumturinë e tyre të amëshuar. Kemi dëgjuar aq shumë histori të vjetra këto ditë, sa që ndarja me ta na duket si një ndarje me të njohur të vjetër.
Pastaj, të shoqëruar nga kryeplaku, Petraq Shore, shohim me radhë vendin ku dikur ishte shtëpia e Veqilharxhit, hidrocentralin e parë në Shqipëri, një rezervuar ku troftat bëjnë garë kush e kush të hidhet më lart… “Ah, sikur të mund të shkruanim më gjatë”, psherëtin njëri prej nesh, duke parë nga Gjika. Ky tashmë e ka bërë një libër për këtë vend krejt të pazakontë. Dhe pastaj na vjen ndër mend sërish ajo pyetja e parë: Përse ky vend i mbushur plot ujëra, liqene e lumenj, njerëz të mirë, klimë e ajër të mrekullueshëm, itinerare të mundshme, kuzhinë si prej qëmoti, ushqime që vijnë nga një botë ende e pandotur, kisha plot histori, ka mbetur ende jashtë turizmit? Përgjigjja është vetëm një rrudhje supesh. Askush prej nesh nuk di të thotë një përgjigje të saktë. Mbase këtë duhet ta dijë ndokush tjetër.
(Autori falënderon veçanërisht zotin Koço Gjilo dhe miqtë e tjerë vithkuqarë, për ndihmën dhe mirësinë e rrëfyer gjatë realizmit të këtij reportazhi)
HISTORIA
Shkëlqimi dhe rënia e një qyteti
Vithkuqi ndodhet 25 kilometra në Jugperëndim të Korçës. Është qendër e një komune që përfshin veç tij edhe fshatrat: Lubonjë, Rehovë, Rroshanj, Gjanç, Leshnjë, Shtyllë, Panarit, Treskë, Trebickë, Katund, Stratobërdhë, Grabockë dhe Çemerricë. Territori i komunës kufizohet me Voskopojën, Oparin, Skraparin, Përmetin dhe Kolonjën. Vetë fshati ka sot 250 familje, me afër 1000 banorë. Vithkuqi ndodhet 1200 metra mbi nivelin e detit. Temperatura mesatare vjetore është 12 gradë Celsius.
Shenjat e para të jetës në këtë krahinë datojnë që nga shekulli IV para Krishtit. Varre antike, mbeturina fortifikimesh dhe tuma e lidhin këtë qytetërim me atë që lulëzonte poshtë dhe në Veri të saj, në Fushën e Korçës.
Vithkuqi përmendet në regjistrimet osmane të shekullit XV si pronë e Iljaz Bej Mirahorit, themeluesit të Korçës. Kulmin e zhvillimit e arrin në shekujt XVII-XVIII kur, thuajse njësoj si Voskopoja, arrin të shndërrohet në një qendër të fuqishme qytetare, me ekonomi dhe arsim të zhvilluar. Asokohe popullsia e tij arrinte deri në 15 mijë banorë. Qyteti kishte 24 kisha dhe dy manastire. Pastaj, pak nga pak, erdhi shkatërrimi. Vithkuqi u bë pre e anarkisë feudale, që i përfshiu krejt këto krahina në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XX. Ai u dogj dhe u plaçkit tri herë brenda 52 vjetëve. Goditjen e parë e mori në vitin 1781. Këtë herë qyteti u godit rëndë, por duket se u mbajt disi. Për herë të dytë u godit në 1819 dhe u trondit fort. Goditja e tretë, ajo e 1823-shit, duket se ka qenë vdekjeprurëse. Thuajse të gjithë vithkuqarët u larguan nga qyteti i djegur dhe i plaçkitur. U vendosën nga pak kudo: që nga Sinja e Beratit, në Korçë, Dukat, Vuno e Himarë, Pogradec e Opar e deri në Bullgari (Mandrica), Greqi, Hungari, Rumani e Ukrainë. Vithkuqarët mendojnë se banorët e një fshati në periferi të Athinës, Borisht, nuk janë gjë tjetër veçse pasuesit e banorëve të dikurshëm të lagjes Borisht, rrënojat e së cilës ende duken në këmbë të Manastirit të Shën Pjetrit. Në qytetin që ende nxirrte tym mbetën vetëm 10-12 familje. Një qytet kishte marrë fund, kishte lindur një fshat.
Fshati ka pasur një emigracion shumë të zhvilluar. Vithkuqarët kanë qenë ndër të parët shqiptarë që u vendosën në SHBA, në Southbridge afër Bostonit. Të pakta janë këtu familjet që nuk kanë pasur kënd në emigracion.
Në 1936 këtu u ndërtua hidrocentrali i parë në Shqipëri. Ky është në punë ende sot e kësaj dite. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fshat qëndroi disa kohë Shtabi i Përgjithshëm partizan dhe një mision anglez. Në korrikun e 1943-shit pikërisht këtu u formua Brigada I, me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Tuk Jakovën. Nuk ishte e thënë që fshati t‘u shpëtonte djegieve edhe në shekullin XX. Ai u dogj dy herë nga italianët dhe gjermanët. 250 shtëpi të vjetra, 9 kisha të kahershme, 5 dyqane, hoteli, shkolla u rrënuan plotësisht. 5 mijë kuintal drithëra, 2 mijë kuintal tagji dhe 2 mijë krerë bagëti u zhdukën pa lënë gjurmë.
Nuk mjafton një faqe gazete për të rreshtuar të gjithë vithkuqarët e famshëm të vjetër e të rinj. Ata janë aq shumë sa që… megjithatë dy prej tyre janë më të njohurit: Nikollë Deda ose Shën Nikodhima dhe Naum Bredhi-Veqilharxhi. I pari, shenjt ortodoks shqiptar, i dyti themelues i arsimit shqip. Të dy e kanë arritur shkëlqimin e dikurshëm të Vithkuqit.
Mbi Shën Nikodhimën dihet fare pak, vetëm një legjendë thuajse e errët mbi jetën e tij. Thuhet se që i ri u largua nga Vithkuqi dhe u vendos në Berat, ku punoi do kohë si rrobaqepës. Thuhet se u marros pas vajzës së bukur të një myslimani të pasur. Që t‘i kërkonte dorën duhej të ndryshonte më parë fenë. Dhe kështu bëri, si u konvertua në “turk”, sikurse i thoshin asokohe, u martua me beratasen e bukur. Por lumturia nuk ka vazhduar gjatë. Niko Dhima në një moment brerjeje ndërgjegjeje braktis gruan, rikthehet në fenë e tij të parë dhe merr udhën për në malin Athos, ku vishet murg. Pas një farë kohe kthehet në Berat, ku predikonte kundër atyre që konvertoheshin në myslimanë. Murgu ish-mysliman i tërboi fare pashallarët e Beratit. Këta e burgosën dhe i bënë presion që të kthehej edhe një herë në Islam. Ky nuk pranoi. I prenë kokën më 10 korrik 1709. Për shpirt të tij është ndërtuar në qendër të Vithkuqit një kishë e re. S‘kishte se si të ndodhte ndryshe. Një shenjt i ri ka kishë të re.
Naum Bredhi-Veqilharxhi është një nga simbolet e Vithkuqit të kohës së ndritur. Ai lindi në lagjen Bredh (që sot nuk ekziston më) në 17 dhjetor 1797. Asokohe qyteti ishte në kulmin e lulëzimit. Pa mësimeve të para në vendlindje, ku pati si mësues dy të njohur të tjerë, Kostë Cepin dhe Jani Evstratin, emigroi shpejt për në Rumani, ku kishte shumë të afërt. Këtu studioi për juridik, por duket se më pas ka punuar si ekonomist a llogaritar, nga mbiemri i dytë që i shtoi vetes (osmanisht: veqilharxh = ekonomist, administrator). Ky është i pari shqiptar që u kujtua se një komb që të quhet i tillë duhet të ketë një gjuhë të shkruar dhe që kjo të ndodhë, i duhet një alfabet. “Fort i përdorçim Evëtar shqip” u botua për herë të parë në 1844. Dy vjet më vonë vdiq në Stamboll, në rrethana të paqarta. Legjenda mbi helmimin e tij është ende e besueshme. Alfabeti i krijuar nga Veqilharxhi kishte 32 germa. Ai nuk arriti të merrte përdorim të gjerë. Megjithatë vithkuqari Naum nisi i pari rrugën e gjatë e të ndërlikuar të shqipes së shkruar.
(Për më gjerë shih: Gjikë Kurtiqi, Vithkuqi i 24 kishave dhe 100 krojeve, Libri i Parë, Shoqata “Naum Veqilharxhi”, Tiranë 2008)
Ju me te drejte beni pyetjen Përse ky vend i mbushur plot ujëra, liqene e lumenj, njerëz të mirë, klimë e ajër të mrekullueshëm, itinerare të mundshme, kuzhinë si prej qëmoti, ushqime që vijnë nga një botë ende e pandotur, kisha plot histori, ka mbetur ende jashtë turizmit?
pergjigjen duhet ta jape kryetari i komunes qe nuk ka konceptin per te hapur nje faqe ne internet per vithkuqin e te krijoje nje guite per gjithe zonen se ju deri ne vithkuq shkuat por te shkonit ne shtylle panarit etj do te mahniteshit me bukurine qe ka kjo zone
por ske cfare te besh disa gjera behen edhe me hater
Po te ngjiteni ne malet e Vithkuqit atje do te shikoni bukuri te rralla;eshte gjynah qe vajtet deri tek shtepia e xha Goles edhe nuk u ngjitet ca me lart.Nuk e ka fajin kryetari i komunes qe Vithkuqi nuk eshte bere akoma nje vend turistik duhet edhe banoret e tij te vene nje dore se eshte nje vend qe vertet e meriton te jete i njohur.
Zoti e ka parë Vithkuqin me të dy sytë. Ai është një mrekulli e Tij. Megjithëse nuk jam vithkuqar, e njoh me pëllëmbë relievin e mrekullueshëm, prej të cilit rrethohet fshati: male e kodrina të veshura me ah e pishë, me aromën dehëse të çajit, me çairet magjike, të cilat të çojnë në një botë parajse të vërtetë. Dhe mbi të gjitha uji, uji i bollshëm që të mpin gishtin e të ngroh shpirtin. Qershori vithkuqar ndalon Diellin ta shohë, nuk i vjen mirë të perëndojë. Prandaj, më vonë se kudo gjetkë, ai ikën pikërisht nga malet e Vithkuqit. Klima atje është shëndet, frymëmarrje. Nuk harroj kurrë muzgjet e misterëshme përmbi Vithkuq. Po të më dojë Zoti, le të më çojë edhe njëherë atje, në ato çuka e gërxhe. Atje të shtohet jeta. Le të mbushen ato kullota të ëmbla me tufat e bardha të deleve, me hingëllima kuajsh. Ai që kalon një natë në Vithuqin, do kthehet prapë natën tjetër. Le të bëhet diçka të njihet në botë si vënd i prehjes shpirtërore.
Ziko Llambro Kapurani-Selanik- tetor ‘09.
kur fan noli shkruajti do per pune nje korcare ik e bujk e ustallare krah e mendje s kane te share nenkuptonete vithkuqare prandaj jam krenare qe jam vajze vithkuqare.
PERSHENDETJE MIRATOJME DY LIBRAT E SHKRUAR NGA GJIK KURTIQI PER FSHATIN VITHKUQ ,QE KA PERMENDUR HISTORINE E ATIJ VENDI TE MREKULLUSHEM ME ATO KROJE ME UJE TE FTOHTE ,PER ATO KISHA TE VJETRA DHE AJRIN E PASTER ,POR DUAM ME SHUME PER VITHKUQIN. ME RESPEKT SOTIR KOSTANDIN PRIFTI @ SPIRO SOTIR PRIFTI KALKIDHIKI GREQI
Un e kam ber shkollen 8 vjecare ne vithkuq ,esh nje vend shum i bukur esh gjyna mos jet nje vend turistik.
Marr shkas te bej kete komente per kete qytet mesjetar me emer ne ballkan,nga reportazhi i Fatos Baxhakut si dhe per vete faktit qe orgjina ime stergjyshore eshte nga Vithkuqi.Lexova me vemendje gjithcka ne keto faqe,por ajo qe meka bere pershtypje ishte qe c’do lagje kishte kishen e vete.SHen MEHILLI besoj une eshte ajo qe na siell aqe afer me historin e orgjines time.Deshira ime eshte ta vizitoj kete perl te natyres dhe token e stergjysherve dhe te njerzeve qe bene histori ne kete krahin dhe qe ndezen pishtarin e shkronjave te arta te gjuhes tone.
Nje pershkrim i mrekullueshem i Vithkuqit. Une vet nga ana e babait jam nga Vithkuqi, por lindur dhe ritur ne Korce. Familja ime eshte Kita dhe eshte e vertete qe Kitat e Vithkuqit u migruan ne Southbridge te Massachuesit, afer Boston. Brezat e rinj te familjes Kita ne Southbridge, te lindur ne Amerike jane me te vertete shume patriote. Ata flasin shpip she ruajne zakoned shqiptare.
Me terhoqi vemendjen emri i shoqes sime, prandaj ndalova ne kete faqe, dhe gjithashtu me erdhi ne mendje dita a pare dhe e vetme qe isha ne Vithkuq per Shen Gjergjin. Ka kaluar nje kohe e gjate mbase 17 vjet te shkuara, po me kujtohet si tani. Ishte kohe e bukur, fresket dhe me ka bere pershtypje sh. Vithkuqi eshte me te vertete nje vend qe te sjell kenaqesi dhe qetesi shpirterore. Ate dite kishte sh. njeres, ne kishe brenda dhe ne obor perjashta, si duket kishin ardhur nga Korca dhe nga fshatrat ngjitur. Njerzit ne ate kohe ishin te etur per lutje ne Zoti, per te shprehur dashurine ne Zoti gjithashtu. Une them s’ka vend me te mire se ne ate koder sic e mbaj mend une ku te ben shpirti rehat dhe lutesh dhe merr shprese se cdo gje do jete me mire. Miratoj mendimet e komentatoreve te tjere, duhet te punojne te gjithe, si banoret e Vithkuqit edhe ate qe jane ne fuqi. S’eshte ndonje gje e madhe mund te marrin shembull sic bejne vendet e bukura turistike ne shtete te tjera te botes, pershembull ne Cape Cod ne Amerike, ka familje qe kane shtepi te madhe me dhoma dhe pranojne turiste. Keto i quajne “bed and breakfast” krevat dhe mengjes. Une kam sh. besim se ka plot njeres qe duan te kalojne nje jave te rehatshme ne Vithkuq sidomos ne ditet qe festohet Shen Gjergji ose kurdohere.