07-06-08
Jani Matraku është biznesmen, me lejen e biznesit k64522003m dhe ka lidhur marrëdhënie tregtare për biznesin e tij me biznesmenin grek P.J.Solomo në Irakljo të Athinës. (Autori i shkrimit ka në dorë të gjitha dokumentat e dërguara me faks nga biznesmeni grek në konsullatën greke në Korçë.) Pranë konsullatës greke në Korçë biznesmeni shqiptar Jani Matraku paraqiti të gjitha dokumentat e nevojshme, për të marrë vizë pune për të zhvilluar aktivitetin e tij të biznesit me biznesmenë grekë. Këtu, filloi pingpongu i konsullatës greke me biznesmenin shqiptar Jani Matraku. Fillimisht, zyrtarët grekë të konsullatës greke në Korçë i kërkuan një dokument vërtetimi nga biznesmeni grek, që të vërtetojë marrëdhëniet e biznesit.
Madje, punonjësi i konsullatës greke në Korçë, zotëria Thanasi bisedoi telefonikisht me biznesmenin grek P.J. Solomo dhe i shpjegoi çfarë dokumente duhet të paraqitë biznesmeni grek, për të ftuar për marrëdhënie pune biznesmenin shqiptar Jani Matraku. Dhe biznesmeni grek P.J. Solomo, dokumentin e tij e vulos edhe në KEP ( qendra të shërbimit të qytetarëve në Greqi ) dhe e nis me faks në konsullatë. Pas një jave, në përgjigjen që i jep konsullata greke qytetarit shqiptar, i thotë që nuk ka ardhur asnjë faks?! Pas një jave, përgjigja që merr qytetari J.Matraku nga konsullata greke është, se dokumenti i biznesmenit grek është i mangët.
-Po ju atë që i kërkuat, ju ka dërguar biznesmeni grek- shpjegohet biznesmenin shqiptar.
- Na duhet vula e firmës.
-Derisa në KEP biznesmeni grek ka firmosur si përfaqësuesi i firmës, kjo a nuk ju mjafton?
- Patjetër na duhet vula e firmës.
Të shpjegojmë.
Deklarata e përgjegjësisë e firmosur nga qytetarë grekë ngarkon me përgjegjësi penale qytetarin grek nëse mashtron, sipas ligjit N 1599/1986 numri 8 gërma 4.
Përse konsullata kërkon dokument për dokument?
E megjithatë, biznesmeni grek dërgon po me faks konsullatës greke edhe vulën dhe përsëri deklaratë përgjegjësie, që fton biznesmenin shqiptar Jani Matraku për bashkëpunim tregtar.
Kësaj here përgjigja e konsullatës greke në Korçë biznesmenit shqiptar është.
- Nuk mund të merrni dot vizën për në Greqi.
- Përse? A nuk ju solla të gjitha dokumentat që kërkon një vizë pune për biznesmenin ?
- Kjo është përgjigja jonë.
-Po zoti Thanas, punonjësi i konsullatës që bisedoi telefonikisht me biznesmenin grek, tha që po të paraqes dokumentat përkatëse nuk do të ketë problem.
Për ballafaqim me biznesmenin shqiptar, thërrasin edhe zotin Thanas.
- Ku më njihni ju zotëri?- pyet punonjësi i konsullatës greke biznesmenin shqiptar.
- Ju, zoti Thanas, a nuk biseduat në telefon dhe sqaruat edhe biznesmenin grek ase çfarë dokumenta duhet të dërgojë te ju ai për garancinë e vizës time?
Kësaj herë punonjësit e konsullatës greke në Korçë nuk kishin më "argumente" të mohimit të vizës biznesmenit shqiptar.
Sado që u revoltua biznesmeni shqiptar, për padrejtësinë ndaj tij nga konsullata greke në Korçë, për mohimin e dhënies të vizës, prapëseprapë, e drejta e qytetarit shqiptar humbi në mosdëshirën e konsullatës greke që të ndihmojë shqiptarët për vizë në Greqi.
Dhe biznesmeni shqiptar nuk është as i pari dhe nuk do të jetë dhe as i fundit që do ti mohohet dhënia e vizës.
Kjo është rutina në dyert e konsullatave greke në Shqipëri.
Nisemi nga ana teknike e kërkesës për vizë në Greqi. Biznesmenët shqiptarë përherë ndodhen në mëshirën e (mos)dëshirës të punonjësve të konsullatave greke për marrjen e vizave për të kryer marrëdhëniet e biznesit të tyre.
Asgjë nuk ka ndryshuar.
P(ordhë)ropagandë politike ishte liberalizimi i vizave për në BE për kategoritë e veçanta për qytetarët shqiptarë.
Ja ku është shembulli.
A ka mundësi që biznesmenët shqiptarë, në të tilla raste flagrante të mohimit të të drejtave të tyre ekonomike, të mund të ankohen te shteti shqiptar?
A mundet që shteti shqiptar, në kësi raste, të ndërhyjë dhe të ndihmojë biznesmenët e tij?
Përgjigja është e kuptueshme. Shteti shqiptar i ka braktisur me kohë qytetarët e tij.
Qytetarëve shqiptarë u ka rënë mbi kokë mallkimi i të Madhit Zot për mëkatet e politikanëve shqiptarë.
Ndaj cilido qytetar shqiptar, edhe pse pas 17 vjetëve në Demokraci ndihet i "burgosur" në të Drejtat e Lëvizjes të Lirë.
Nuk përbën ndonjë sekret.
Biznesmeni shqiptar Jani Matraku, po të kishte shoqëruar kërkesën e tij në konsullatën greke në Korçë me ndonjë bakshish...atëherë, sot do të kishte udhëtuar në Greqi.
Kjo a nuk ndodh në të gjitha rastet e kërkesave të shqiptarëve për vizë në Greqi nëpër dyert e konsullatave greke?
Konsullata greke, derisa punonjësi i saj, zoti Thanas shpjegoi biznesmenin grek se çfarë dokumenta duhet të dërgojë, përse në fund të fundit i mohoi dhënien e vizës biznesmenit shqiptar?
Konsullata greke e Korçës i ka të gjitha faktet e vërtetimit të biznesit të qytetarit Jani Matraku.
Mohimi i vizës ka vetëm një shpjegim.
Mosdhënia e rrushfetit punonjësve të konsullatës greke në Korçë.
Ose , po qe se punonjësit e konsullatës greke në Korçë janë kaq të "ndershëm" , të pranojmë mundësinë tjetër të mohimit të mosdhënies të vizës biznesmenit shqiptar.
Atë, të ndjekjes të një politike dallimi dhe diferencimi për qëllime politike që ndjekin misionet diplomatike greke ndaj qytetarëve shqiptarë.
Ose shpjegimi i një mundësie tjetër.
Politika dhe diplomacia greke përzgjedhin edhe marrëdhëniet e biznesit shqiptar.
Me çfarëdo mënyrë dhe me çfarëdo mjete politika dhe diplomacia greke kërkon - sikurse është i qartë shembulli i biznesmenit shqiptar Jani Matraku- të kontrollojë, të drejtojë edhe biznesin në Shqipëri.
Politika greke me diplomacinë e saj në Shqipëri, pengon çfarëdo iniciativë të zhvillimit të biznesit midis biznesmenëve shqiptarë dhe atyre grekë, duke u dhënë vetëm mundësi biznesmenëve minoritarë.
Kjo është më e theksuar sidomos në zonat e Korçës, Gjirokastrës, dhe Sarandë-Delvinës, ku biznesmenëve shqiptarë u del vaji i zi për një ...vizë nga shërbimet diplomatike greke.
Keni dëgjuar ndonjë rast, që të pengohet ndonjë biznesmen minoritar nga shërbimet diplomatike greke në Shqipëri?
Dhe, ndërkohë, në emisionet e lajmeve, shqiptarët shurdhohen me deklarata politike të qeveritarëve për ....liberalizimin e vizave për në BE.
Provojeni, provojeni dhe kërkojeni liberalizimin e vizave në konsullatat greke në Shqipëri.
gazeta "ndryshe"
|