11-30-08
Ajo ishte shqiptare dhe kur ishte e vogël, jo rrallë herë pyeste veten se përse ajo ishte me flokë të zeza, me fytyrë të zeshkët, ndërsa të tjerët të gjatë, biondë e me sy bojqielli. Tatyana Supure(emri artit Mirabele) është 25 vjeç dhe vetëm ca vite më parë mësoi se shumë kilometra larg Ukrainës ekzistonte një vend që quhej Shqipëri, nga ishin nisur të parët e saj. Sot ajo ndodhet në Tiranë me një sfilatë mode. Prezanton një koleksion me veshje, me motive popullore shqiptare dhe ukrainase. Flet shqip, edhe pse me vështirësi dhe thotë se në Karakurt, në fshatin e saj, është një Shqipëri e vogël, ku njerëzit flasin shqipen e vjetër dhe gatuajnë speca të mbushur e byrek me djathë. Një shqiptare në Ukrainë, na tregoni pak historinë tuaj... Besoj se keni dëgjuar që në Ukrainë janë 4 fshatra, ku jetojnë shqiptarë. Mes tyre është edhe Karakuri, ku kanë lindur prindërit e mi. Ata janë shqiptarë, por stërgjyshërit tanë janë vendosur këtu në vitin 1812. Pasi u larguan nga zona e Korçës, kaluan më parë në Maqedoni e Bullgari, për të mbërritur në Ukrainë. Çfarë ju kanë treguar prindërit për Shqipërinë? Prindërit e mi nuk dinin asgjë për Shqipërinë. Lidhjet me të afërmit ishin prerë shumë kohë më parë, aq më tepër që edhe Shqipëria ka qenë e mbyllur, për shkak të diktaturës. Në të vërtetë ata mendonin se Shqipëria ishte vendi ku ne jetonim dhe se nuk kishte një vend tjetër me këtë emër. Si u ndiet kur mësuat se nuk ishit shqiptarët e vetëm dhe se ekzistonte një vend me emrin Shqipëri? Nuk mund ta besoja. Nuk mund ta mendoja si të vërtetë, pasi Shqipëria dhe Ukraina janë kaq larg dhe janë kaq të ndryshme. Aq më tepër që nuk kishte shumë informacion për Shqipërinë. Kur shkova në Kiev, mësova më shumë dhe kur erdha këtu e preka me dorë këtë vend që quhej Shqipëri dhe vërtetë që jemi shumë. Si është e mundur që e flisni kaq mirë shqipen? Në shtëpi ne flasim shqip. Babai im është shumë patriot dhe që kur kemi qenë të vegjël na thoshte se ne jemi shqiptarë dhe duhet të ruajmë gjuhën tonë. Sigurisht ne flasim shqipen e vjetër dhe kur erdha për herë të parë këtu nuk kuptoja asnjë gjë. Më mirë kuptoja shqiptarët e Maqedonisë. Po kam dëshirë të mësoj më shumë. Në shtator bëra një seminar për gjuhën shqipe. Mendoj për të ardhmen, që t’ua mësoj fëmijëve të mi gjuhën time, ashtu si prindërit ma mësuan mua. I dashuri im është nga Ukraina, por do të doja që fëmijët e mi t’i flisnin të dyja gjuhët. Krahas gjuhës, vazhdoni ende të ruani traditat shqiptare, në mënyrën e jetesës? Kur erdha këtu, u ndjeva tamam si në shtëpinë time, traditat që ne ruajmë janë shumë afër me këto në Shqipëri. Kanë kaluar 200 vjet dhe ne vazhdojmë t’i ruajmë zakonet, edhe pse janë përzier me traditat dhe zakonet e vendit. Sa i përket gatimit, është pak a shumë i njëjtë. Edhe ne bëjmë speca të mbushur, byrek me djathë... Si erdhët për herë të parë në Shqipëri? Për të ardhur në Shqipëri mu desh të ndiqja një rrugë të gjatë. Ishte shumë e vështirë të nxirrje një vizë dhe duhej të paguaje shumë para. Ne nuk kemi një ambasadë në vendin tonë, ndaj më duhej të shkoja në ndonjë vend që kishte, si në Poloni. Unë nuk e dija që nuk kisha nevojë fare për vizë, pasi në dokumentet e mia, që në lindje, kombësia ime është shqiptare. Prindërit e mi janë shqiptarë dhe unë po ashtu. Kur erdha për herë të parë nuk njihja askënd. Që kur zbrita në aeroportin “Nënë Tereza”, njerëzit që takova e kuptuan se unë isha shqiptare, që nga pamja, por nuk mund të flisja shqip. Si t’u dukën shqiptarët e Shqipërisë? Shumë të dashur. Ndihem si në shtëpi. Të gjithë janë të afërt dhe kanë dëshirë për të ndihmuar. Shoqja ime që është ukrainase, thotë se shqiptarët janë njerëz më të mirë se vetë ukrainasit. Po prindërit a e kanë vizituar Shqipërinë? Jo nuk kanë ardhur asnjëherë. Pasi siç ju thashë nuk është edhe aq e thjeshtë, por shpresoj që vitin tjetër ëndrra e tyre të realizohet. Tashmë jeni në Tiranë për të marrë pjesë në një sfilatë mode, prej sa kohësh tentoni në këtë fushë? Prej 5 vjetësh jetoj në Kiev, ku bëra shkollën për stiliste dhe punoj pranë një teatri baleti modern shumë të njohur, që quhet “A-6”. Aty realizoj kostumet për balerinët. Më pëlqen shumë skena, por do të doja të bëja diçka të veçantë në fushën e modës. Në veshjet tuaja ndërthurur motive popullore shqiptare, si lindi kjo ide? Kur në Karakur erdhi një grup folklorik i shqiptarëve të Maqedonisë, për të dhënë një koncert, u mrekullova nga kostumet. Ishin shumë të bukur, sidomos e bardha. Që atëherë vendosa që të realizoj një koleksion me veshje moderne, por me motive të kostumeve popullore shqiptare dhe ukrainase. Duke jetuar mes dy kulturave, unë kam të dyja brenda meje dhe e kam të mundur t’i shkrij ato të dyja në një. Sa kostume përfshihen në koleksionin tuaj dhe kostumet e cilës zonë të Shqipërisë keni shfrytëzuar më shumë? Kam qepur 14 kostume. Më së shumti kam marrë motivet e jugut. Duke qenë nga Korça, këto motive i ndjej më afër meje. Kur erdha këtu, nuk dija shumë për kostumet popullore, por kur erdha një vit më parë, pata mundësinë të shikoja nga afër kostume, që më pëlqyen shumë dhe u frymëzova për të bërë këtë koleksion. Mendoj t’i paraqes në formën e një performance. Në sfond do të ketë muzikë shqiptare dhe ukrainase dhe do të luaj edhe me ndriçimin. Kemi ftuar shumë njerëz të njohur dhe shpresoj të vijnë të gjithë. Ç’do të bëni pasi të mbarojë java e modës? Gjatë qëndrimit tim këtu, kam shëtitur disa qytete të Shqipërisë, por nuk kam shkuar akoma në Korçë. Dëshiroj shumë të shkoj atje dhe të shoh vendin e të parëve të mi.
Të vishesh si Geraldina
Mbrëmë në orën 17:30 u zhvillua nata e tretë e Javës së modës. Ishte stilistja Anila Konomi, që hapi këtë mbrëmje me krijimet më të fundit, që mbajnë firmën e saj. Sfilata e saj ishte frymëzuar nga ikona e parë e modës shqiptare, Mbretëresha Geraldinë. Koleksioni i Konomit ndërtohej në bashkimin e tre materialeve të ndryshme, bizë, mëndafsh si dhe aksesorë të përbërë nga materiali rrazo. Është përdorur shumë e zeza, e arta dhe viola. Kryesisht koleksioni i përmbahet viteve 1930-1938, një nga periudhat më elegante në veshjen femërore. «Bellissima » prezantoi koleksionin vjeshtë dimër 2008-2009. Zotëruan ngjyrat kafe, bezhë, të thyera me jeshile dhe lejla. Koleksioni i AR kryesisht i kushtohet grave të suksesshme në biznes. Janë 20 veshje, ku zotëron e zeza dhe bezha.
Historia e shqiptarëve në Ukrainë Në jug të Ukrainës shtrihen katër fshatra shqiptare me rreth 20 mijë banorë. Vendosja e tyre në këto zona daton qysh në kohën e Perandorisë Osmane. Shqiptarët e Ukrainës fillimisht u vendosën në veri të Odesës, 220 km larg, në fshatin Karakurt, që është edhe fshati kryesor, së bashku me bullgarë dhe gagauzë. Në fillim të vitit 1860 një pjesë e fshatit Karakurt u shpërngul në rajonin e brigjeve të detit Azov, rreth 10 km larg brigjeve, ku u themeluan 3 fshatra, Devnenskoje, GJeorgjevka, Gamovra, ku jetojnë edhe sot. Këtë tokë ua dhuroi Katerina II e Rusisë. Banoret janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari e Rumani përfunduan në Ukrainë. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt ( Zhovtnjovoje), Devneskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki), dhe Gamovra (Xhandran), është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por megjithatë zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbeten të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë.
Alma Mile
|